Jemi mësuar të normalizojmë gjëra që nuk janë aspak normale. Kështu për shembull është ‘’normale’’ që politikanët të jenë të korruptuar, drejtësia të mos jetë e drejtë, ligji të mos jetë i njëjtë për të gjithë, institucionet mos të kryejnë punën e tyre, studentët të mos studiojnë (por të diplomojnë), profesorët të mos vinë në ligjërata, qytetarët mos kryejnë detyrimet e tyre dhe lista vazhdon pafundësisht.
Në momentet kur fillon e flet për këto anomali, shumica qëndron indiferente karshi problemit sepse në fund të ditës status-kuoja sjell më pak përgjegjësi individuale dhe është shumë më e lehtë që fajin ta kërkojmë tek të tjerët. Pjesa e ngelur ndahet në dy taborë të kundërt pa kulturë debati dhe argumente në hapësirën në mes tyre e cila mbushet me sharje, ofendime, nënçmime, fyerje, etiketime, shpifje madje edhe me kërcënime fizike. Tema nuk ka rëndësi – mund të jetë politike, sociale, kulturore, etnike madje edhe sportive. Mbi të gjitha këto, mishmashi më madh krijohet kur në opinion flitet për tema religjioze! Aty polarizimi tejkalon çdo skaj e në mes futet edhe vetë Zoti me njerëz të cilët herrë i dalin në mbrojtje, herë flasin në emër të tij, të tjerë që e sfidojnë dhe disa të cilët flirtojnë me të për të ‘’fituar’’ parajsën përmes komenteve në Facebook. Të gjitha këto… përveç debatit substancial i cili do të trajtonte temat përmes argumenteve dhe pikëpamjeve të ndryshme – si një shoqëri e vërtetë demokratike.
Polarizimi i skajshëm, diskreditimi dhe anatemimi i personave që guxojnë të flasin për këtë temë hapi rrugën për një ideologji ekstreme, përjashtuese dhe jo-tolerante të islamit që përmes ‘’shkollave’’ të ndryshme të deformojë islamin paqësor dhe tolerant të cilin e praktikonin (…dhe ende e praktikojnë) shumica e besimtarëve mysliman në Ballkan, e posaçërisht në hapësirat shqiptare. Ku qëndron problemi?
Në fillimet e viteve 90-ta, posaçërisht pas rrënimit të Jugosllavisë, shtetet arabe përmes fondacioneve të ndryshme, organizatave ‘’humanitare’’, bursave studimore dhe ndërtimit të objekteve të kultit filluan të eksportojnë ideologjinë Wahabiste të praktikimit të islamit. Duke rekrutuar individë, duke prodhuar predikues dhe duke keqpërdorur gjendjen e rëndë ekonomiko-sociale dhe arsimore të shoqërisë sonë arritën të krijojnë një grup më të madh mbështetësish të cilët janë të indoktrinuar, fanatik dhe radikal në promovimin dhe ‘’mbrojtjen’’ e kësaj ideologjie. Në pikëpamjet time, në diskursin e debatit publik, strategjia e tyre kryesore dhe më efektive ishte: 1.fshehja pas besimit islam duke mos diferencuar veten nga shumica e besimtarëve të moderuar; dhe 2. anatemimi i çdo njërit që do të kritikonte qasjen, formën apo interpretimin e fesë nga kjo ideologji, duke e etiketuar si ‘’islamofob’’.
Të qartësojmë disa gjëra! Islamofobia është urrejtje apo paragjykim ndaj besimtarëve islam për shkak të besimit të tyre, dhe si çdo urrejtje apo paragjykim tjetër shoqëror për shkak të përcaktimeve individuale apo përkatësive grupore është e dëmshme, diskriminuese, jo e drejtë dhe e papranueshme. Pikërisht këtu qëndron problemi me praktikimin e kësaj ideologjie radikale sepse e njëjta është përjashtuese për çdo besim, çdo kulturë apo përcaktim tjetër, madje edhe për vetë myslimanët e moderuar të cilët besimin ia kanë përshtatur kohës dhe vendit ku jetojnë.
Kur në opinion flitet për ekstremizmin fetar duhet qartësuar se nuk bëhet fjalë për besimtarët e devotshëm, të cilët me zell e përkushtim i luten Zotit të cilit i besojnë me shpresën për tu bërë më mirë por flitet për atë dogmë ideologjike që keqinterpreton fenë për të nxitur luftë, konflikt, diskreditim, përjashtim për gjithkënd që nuk mendon si ato.
Kur në opinion flitet për radikalizmin fetar nuk bëhet fjalë për ata besimtar të përkushtuar që në pendesë i kërkojnë falje Zotit që e besojnë për gabimin e bërë, por për ata që sulmojnë dhe vrasin njerëz të pafajshëm në emër të Zotit.
Kur në opinion flitet për terrorizëm të nxitur dogma fetare nuk flasim për ata qindra mijëra besimtarë të cilët ndihmojnë personat në nevojë, më të varfrit dhe më të dobëtit por për ato që e sulmojnë pikërisht këtë grup individësh.
Denoncimi, kundërvënia dhe lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit nuk të bën islamofob, përkundrazi të bën mbrojtës të vlerave paqësore të cilat i promovojnë religjionet. Lufta kundër shoqërive përjashtuese dhe jo-tolerante nuk të bën anti-fetar, përkundrazi të bën njeri! Në kohët moderne në të cilën jetojmë angazhimi ynë duhet të jetë për të krijuar shoqëri tolerante, gjithëpërfshirëse dhe liberale në të cilat do të ketë vend për gjithë, pavarësisht identitetit grupor dhe përcaktimeve individuale. Të bashkëjetosh me të ndryshmit prej teje është virtyti më i lartë njerëzor që tejkalon çdo ego personale dhe të bën të jesh më afër Zotit, i cili dëgjon, pranon dhe falë edhe ato që gabojnë.
Në fund të ditës, të gjithë pajtohemi se përgjegjësia është individuale si para ligjit ashtu edhe para Zotit.
Published Date:
November 07, 2019
Author:
Sefer Selimi
Ilindenska NN,
Tetovo, R. of North Macedonia
Monday to Friday
09:00 to 17:00
© Democracy Lab 2023. All rights reserved. Made with ♥ from Lucky Media