Megjithatë, nuk jetojmë në demokraci!

Shkruan: Sefer Selimi

Fjala DEMOKRACI në vendet e Ballkanit është kthyer në retorikë boshe politike dhe jo vetëm. Ajo shërben edhe si zhargon i çdo politikani sa herë që kërkon të thirret në legjitimitetin e popullit. Madje, në emër të kësaj fjale janë kryer krimet më të mëdha në 25 vitet e fundit. Demokracia ka shërbyer si arsyetim dhe mburojë për politikanët e korruptuar, të paaftë, jokompetent madje edhe për autokratët që ëndërruan të bëhen diktator. Demokracia në Ballkan u barazua me anarkinë!

Por çka në të vërtet nënkupton demokracia?

Demokracia është sistem politik i qeverisjes që ju mundëson qytetarëve të zgjedhin liderët e tyre dhe përmes zgjedhjeve dhe formave tjera të përfshirjes në proceset politike të ndërtojnë politikat qeverisëse dhe të ndikojnë në drejtimin në të cilin zhvillohet shteti. Ajo është një tërësi komplementare e vlerave dhe institucioneve të sistemit.

Demokracia as fillon e as mbaron me ditën e votimit. Momenti i hedhjes së votës në kutinë e numërimit është përmbledhje e një procesi delikat konkurrues që duhet të jetë i drejtë, i lirë dhe demokratik.

Manipulimi i zgjedhjeve përmes formave të ndryshme abuzive në shtetet e Ballkanit është një pikënisje për të detektuar problemet që sjellin në mosfunksionimin e demokracisë.Politikanët tanë kanë ndërtuar një piramidë manipuluese zgjedhore duke shkelur qartazi mbi parimet, vlerat dhe rregullat e demokracisë për të fituar legjitimitetin nga qytetarët. Kjo piramidë manipulative bazohet në katër elementë kryesor:
1. Blerja e votave – Është një praktikë e mirëorganizuar ku përmes klientelizmit politik blihen dhe kontrollohen votat për partinë. Në këmbim të votës partia ofron vende të punës në administratën publike dhe firmat private që janë drejtpërdrejtë në marrëdhënie biznesi me pushtetin, gjegjësisht me partinë. Të zakonshme janë edhe favoret personale për interesa financiare të subjekteve juridike apo personave fizik në kurriz të interesit publik. Ndihmat sociale, subvencionet shtetërore, madje edhe paratë dhe produktet elementare ushqimore shërbejnë për thithje votash nga kategoritë e rrezikuara sociale.
2. Mos ndarja e partisë nga shteti – Funksionarët e pushteteve ekzekutive në nivel lokal dhe qendrorë vendosin në shërbim të partisë të gjitha asetet publike me të cilat disponojnë institucionet e tyre. Administrata është vazhdimisht nën presion për të siguruar vota dhe me të udhëheqin zakonisht njerëz jokompetent të cilët janë besnik të partisë në pushtet dhe të gatshëm të zbatojnë urdhërata partiak pa vënë në konsideratë ligjin.
3. Kontrolli i mediave përmes korruptimit dhe vetcensurimi i gazetarëve – Mediat në pronësi të shtetit janë makineri propagandistike të cilat haptas përfaqësojnë interesat dhe ideologjitë e partive në pushtet. Liria e mediave private blihet përmes korruptimit të pronarëve me biznese të ndryshme në kurriz të pronës publike dhe reklamave qeveritare me paratë e qytetarëve. Gazetarët kritik dhe të pavarur janë pre e shantazheve, kërcënimeve të drejtpërdrejta apo diskreditimit publik përmes kolegëve të tyre që i shërbejnë pushtetit ose përmes aktivistëve dhe militantëve partiak që sjell deri tek vetcenzurimi i tyre!
4. Mosndëshkimi i manipulatorëve, kryerësve të krimit dhe keqpërdoruesve – Edhe pse dispozitat ligjore parashohin dënime mjaft të rrepta për të gjitha keqpërdorimet, krimet dhe manipulimet kultura e ndëshkimit nuk ekziston. I gjithë sistemi gjyqësor është në shërbim të partisë duke mos ndëshkuar edhe raste të dokumentuara me fakte. Ky është një motivim shtesë për besnikët e partisë të vazhdojnë ti shërbejnë asaj edhe duke shkelur ligjet.

Shtetet e Ballkanit perëndimor nuk janë demokraci funksionale dhe liberale. Sipas një sërë raportesh, analizash dhe studimesh nga ekspertë dhe organizata relevante ndërkombëtare, shumica e tyre klasifikohen si demokraci joliberale apo me demokraci të pjesshme dhe në ‘’zonat e përhimëta’’ në mes demokracisë dhe autoritarizmit.
Demokracia nuk është sistem i përsosur politik i qeverisjes por është i vetmi sistem i cili ofron gjithmonë hapësirë për ta përmirësuar veten dhe më e rëndësishmja, është sistem i cili evoluon bashkë me kohën.

Duhet edhe shumë punë, vullnet politik dhe angazhim qytetarë për të arritur në nivelet optimale të një demokracie liberale. Herës tjetër, kur një politikan të thirret para jush në legjitimitetin e fituar nga populli, kujtojani që nuk jetojmë në demokraci!